“Të hedhësh sytë tek një libër është si të dëgjosh zërin e një njeriu tjetër”, ka thënë Carl Sagan, njëri nga studiuesit më të mëdhenj të shkencës skeptike të shekullit XX, si dhe shkencëtari i njohur botëror e shkrimtar i shkencave të fantazisë dhe epistemologjisë.
Lëvizjet e panumërta të vizitorëve të Panairit të 21-të të librit “Prishtina 2019”, të bëjnë të mendosh sa shumë kemi nevojë për njohuri, qetësi dhe paqe në shpirtin tonë.
Në panairin “Prishtina 2019” shihen vizitorë të moshave të ndryshme, të cilët kërkonin nëpër këndet e librave dhe pyesnin për libra e tyre të preferuar të cilat donin t’i blinin, raporton Telegrafi.
Njëra nga vizitoret e këtij panairi, Vjollca Shala- Mulaj, e shoqëruar me vajzat e saj, tha se është shumë e kënaqur me organizimin e panairit.
Mirëpo, siç tha ajo çmimet e librave janë pak të shtrenjta në krahasim me standardin e jetës në Kosovë.
“Panairi qenka shumë mirë i organizuar. Tituj të ri paska mjaft. Edhe pse po japin zbritje për shkak të panairit, çmimet janë pak të shtrenjta për xhepin tonë. Por, kur janë në pyetje dëshirat e fëmijëve, çmimet s’po shikohen dhe aq”, tha ajo.
Telegrafi po ashtu takoi edhe një ish gazetar të Radio Televizionit Prishtina (RTP), si dhe autor i 17 librave, Atdhe Gecin.
Ai në këtë panair kishte ardhur si vizitor dhe kishte blerë mbi 30 libra.
“Deri tash kam botuar 17 libra të mia. Në këtë panair kam blerë mbi 30 libra”, tha ai.
Për Gecin ky panair është më i suksesshmi në krahasim me vitet e kaluara.
“Ka zgjedhje për të gjitha fushat, letërsi, shkencë, psikologji, romane, etj”, theksoi Geci.
Ndërsa, nga Shtëpia Botuese “Dukagjini” Klarita Demiri tregon se numri i vizitorëve në panair është i kënaqshëm.
“Vizitor ka pasur mjaftueshëm. Libraria dhe Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’, ka lexuesit dhe blerësit e vet që vijnë posaçërisht tek ne. Libri më I kërkuar ka qenë ‘Një shqiptar në CIA’, i cili është botuar para dy muajve nga autori Bashmir Xhemaj. Vizitorët i kemi pasur të moshave të ndryshme”, u shpreh ajo.
Edhe Shpend Hoxha, nga Shtëpia Botuese “Lugjet e Verdha”, tregoi se janë arritur pritshmëritë e tij për numrin e vizitorëve dhe librave të shitur në këtë panair.
“Rezultati është ashtu siç kam pritur. Çdo vit po shtohet numri i vizitorëve. Interesimi i vizitorëve për blerjen e librave është në nivel të lartë. Kemi pasur shitje, kryesisht jam i profilizuar në lekturat shkollore ‘Lugjet e Verdha’, ku është dhe 60 vjetori i daljes në dritë i këtij libri. Kanë ardhur prindërit në sugjerim të fëmijëve për t’i blerë librat. Ka pasur edhe organizim nga shkollat. Çmimi i librit në panair është më i ultë në krahasim me ditë e zakonshme”, tha Hoxha për Telegrafin.
Ndryshe, panairi i 21-të i librit “Prishtina 2019” që do të mbahet deri më 9 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë, është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, dhe këtë vit ka sjell rreth 100 botues me mbi 1500 tituj të rinj. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, panairi është pjesë e 20 aktiviteteve kulturore, sportive e inovative për përkujtimin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës. /Telegrafi/