Site icon Telegrafi

Panairi i bizneseve shqiptare në Austri, Ukaj nga kompania “Elnor”: Qëllimi jonë është të ofrojmë cilësi të lartë të produktit

Për herë të katërt në kryeqytetin e Austrisë, në Vienë është mbajtur panairi i bizneseve shqiptare, ku të pranishme kanë qenë kompani shqiptare nga Austria, Zvicra, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria të cilët promovuan produktet e tyre për tregun evropian.

Telegrafi ka përcjellë këtë panair në të cilin prezent ishin një numër i konsiderueshëm i bizneseve shqiptare që veprojnë atje, duke filluar nga gastronomia, hoteleria, ndërtimtaria, mediat, it- design, imobile, estetikë etj.

E, njëra ndër kompanitë që operon në tregun evropian është edhe kompania për prodhimin dhe përpunimin e drurit, “Elnor”.

Menaxherja e shitjes dhe marketingut nga kjo kompani, Vjosa Ukaj në një intervistë për Telegrafin ka treguar se qëllimi i kësaj kompanie është që të zgjerohet edhe më shumë në tregun evropian.

Menaxherja e shitjes dhe marketingut nga kompania “Elnor”, Vjosa Ukaj

“Kompania ‘Elnor’ është kompani e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e produkteve nga druri. Fillon me asortimanin e produkteve nga prej karriges deri te produktet finale- mobilimin e shtëpive private, ambiente hotelerike, etj”, tha Ukaj.

Për këtë kompani, sipas saj është hera e dytë që janë pjesë e panairit të bizneseve shqiptare, në Vienë.

“Këtë vit po shohim fluks më të madh të vizitorëve, kompanive këtu që janë të Kosovës…dhe ka interesim goxha të madh për produktet e Kosovës”, u shpreh ajo.

Menaxherja e shitjes dhe marketingut nga kompania “Elnor”, Vjosa Ukaj

Ukaj theksoi se në këtë panair është vërejtur cilësia e lartë e produkteve që ofrojnë kompanitë e Kosovës.

“E mira e së mirës është që vitet e fundit të gjitha kompanitë në Kosovë janë të fokusuara në zhvillimet e produkteve të cilësisë së lartë…të gjitha kompanitë, përfshirë dhe ‘Elnor’, janë duke investu në cilësi dhe kjo ju intereson dhe kompanive që janë këtu në Vienë, dhe besoj që kjo është faktori kryesorë që këta janë të interesuar, por edhe ne së bashku jemi të interesuar për bashkëpunim tutje”.

Mirëpo, siç u shpreh Ukaj në tregun e Bashkimit Evropian kompania “Elnor” është që nga viti 2010.

“Si kompani jemi prezent në tregun e Evropës, prej 2010-tës, në Gjermani, Zvicër, Luksemburg me kontrata të vazhdueshme që kanë vazhduar ndër vite, por qëllimi jonë është që të zgjerohemi edhe më tej në vendet tjera të Evropës, si p.sh në Vienë. Kemi potencial si kompani”, ka thënë Ukaj. /Telegrafi/

Exit mobile version