Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, konsideron se me thirrjen për unitet në dialogun me Serbinë, koalicioni PAN-PSD e ka kthyer në akuzë djallëzore kundër opozitës, qasje kjo që nuk është e sinqertë dhe as e dobishme për shtetin e Kosovës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se LDK përkrah dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën, por nuk do të pranojë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetutshmërisë në Kosovë.
“Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve. Uniteti i cili po pretendohet të arrihet me logjikën “të merremi me Serbinë, jo me njëri tjetrin” është parullë e koalicionit PAN që ka qëllim ta amortizojë veprimtarinë opozitare dhe mbulojë dështimet e veta”, ka thënë Hoti.
“Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar”,ka shkruar Hoti, përcjell Telegrafi