Site icon Telegrafi

Pamundësia për betimin e kryetarëve të rinj, paralajmërohen zgjedhje të reja në veri

Profesori universitar në Britani të Madhe dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Seb Bytyçi, thotë se mund të ketë zgjedhje të serishme në veri, nëse kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk mund të marrin mandatet e tyre para asambleve komunale.

Ai thotë për KosovaPress, se pret probleme në funksionimin e ushtrimit të detyrave nga kryetarët e zgjedhur, pasi në asambletë komunale ku Lista Serbe ka shumicën do të ketë një bllokadë për betimin e kryetarëve të rinj.

“ Sa i përket funksionimit të komunave sigurisht se mund të ketë probleme në funksionim të ushtrimit të detyrave nga kryetarët e zgjedhur, pra kjo do të varet edhe nga përbërja e asamblesë komunale. Ka mundësi që në ato komuna ku asambleja komunale i takon listës serbe të kemi një bllokadë në funksionimin e komunës. Kjo mund të qojë edhe drejt zgjedhjeve të tjera”, thotë ai.

Krahas kësaj, Bytyçi, thekson se për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të serbëve të veriut, mund të kontestohet legjitimiteti i procesit zgjedhor.

“Sigurisht që mund të kontestohet legjitimiteti sa i përket pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve, por të njëjtën kohë duhet ta dina se bëhet fjalë për frikësim të qytetarëve dhe jo për një bojkotim të qytetarëve që është bërë me vullnet të lirë të tyre”, shton Bytyçi.

Lexo po ashtu KQZ shpall rezultatet preliminare për zgjedhjet në veri: LVV e PDK fitojnë nga dy komuna pa balotazh

Megjithatë, ai shton se i tërë procesi zgjedhor i sotëm në aspektin ligjor është në rregull.

“Në aspektin ligjor gjithçka është në rregull dhe nuk ka ndonjë kërkesë për ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes”, thotë ai.

Ndërkaq, potencon se presioni ndërkombëtar ka ndikuar që mos të ketë incidente sot në katër komunat veriore.

“Ashtu siç është pritur nuk ka pasur ndonjë incident, ka ndikuar presioni i madh ndërkombëtar te Serbia dhe Lista Serbe që mos të ketë incidente. Si duket është marrë parasysh ai mesazh nga shtetet perëndimore. Kurse sa i përket mospjesëmarrjes në zgjedhje, aty më shumë bëhet fjalë për frikën që qytetarët e kanë nga Lista Serbe dhe atmosferën e frikësimit që e ka krijuar ajo parti në ato komuna. Kjo nënkupton se edhe nëse nuk ka incidente në ditën e zgjedhjeve, metodat e tyre të frikësimit kanë efekt që qytetarët mos të dalin në zgjedhje”, përfundon ai.

Në zgjedhjet e sotme në katër komunat veriore kanë votuar 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Exit mobile version