Site icon Telegrafi

Pamjet që kanë provokuar reagime të shumta në internet: A e mori vërtet ky politikan izraelit, vaksinën për COVID-19?

Njerëzit që nuk pajtohen me përdorimin e vaksinave – kohët e fundit kanë shpërndarë një video në internet, në të cilën, sipas tyre, tregon një politikan lokal izraelit që vetëm pretendon se merr një vaksinë kundër COVID-19.

Siç shihet në pamjet, shkruan France24, përcjell Telegrafi, një infermiere mban shiringën në krah sikur po i jep vaksinën, megjithëse nuk mund ta shihni gjilpërën.

Gjatë gjithë videos, politikani është duke folur para kamerave prezentë.

Dhe një nga postimet më të njohura të kësaj video grumbulloi 2.8 milionë shikime në Facebook dhe u shpërnda 72,000 herë.

Titulli, i shkruar në frëngjisht, thotë: “Deri kur me gënjeshtra. Shikoni nga afër, ju lutem, nuk ka asnjë gjilpërë ose presion. Gjykojeni vetë”.

Kështu që, shumë skeptikë të vaksinave thonë se kjo video ofron prova se vetë politikanët nuk kanë besim në vaksinën kundër COVID-19.

Po sipas France24, përcjell Telegrafi, burri që shihni në video quhet Beni Ben Muvchar.

Ai udhëheq këshillin rajonal në Mevoot Hermon, i vendosur në Rrethinën Veriore të Izraelit dhe shkoi për të marrë vaksinën në Spitalin e Shërbimeve Shëndetësore Clalit në Kiryat Shmona më 23 dhjetor 2020.

Mirëpo, siç vë në pah France24, gjatë vizitës së tij, Muvchar lejoi një punonjës të spitalit të bënte një video të shkurtër të tij për kanalet e mediave sociale të spitalit në mënyrë që politikani të falënderonte punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të inkurajonte të tjerët të vaksinoheshin, sipas një raporti nga media izraelite Makorrishon.

Në këtë mënyrë, për qëllimet e videos, një infermiere bën sikur i jep atij vaksinën.

Sidoqoftë, Muvchar veçse kishte marrë vaksinën e tij për COVID-19 para se të filmohej kjo video.

Në një përpjekje për të adresuar thashethemet se ai nuk ishte vaksinuar në të vërtetë, Muvchar postoi një video tjetër në faqen e tij në Facebook duke treguar që ai në të vërtetë ishte vaksinuar.

“Unë e kuptoj që kundërshtarët e vaksinës janë të lumtur për këtë video, por unë doja t’i informoja ata se tashmë jam në listën e pritjes për të marrë dozën e dytë të vaksinës dhe po u bëj thirrje të gjithëve që të shkojnë të vaksinohen për të luftuar COVID-19”, kishte thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version