Londra tash e dy ditë po aplikon masën e izolimit total. Rrugët e një nga qyteteve më të mëdha evropiane dukeshin si skenat e filmave “apokaliptik”, ku as edhe një njeri nuk shihej përveç punonjësve të metrosë. Turma të gjata janë krijuar vetëm para dyqaneve dhe barnatoreve.
E shtetet më të afërta me Britaninë e Madhe kanë ndërprerë lidhjet e trafikut, nga frika e llojit të ri të coronavirusit që është shfaqur në këtë vend, duke shkaktuar një situatë kaotike para se Britania e Madhe të arrijë marrëveshjen tregtare me BE-në, transmeton Telegrafi.
Qeveria britanike ka vendosur që në Londër dhe në disa qytete tjera në jug dhe lindje të Anglisë të aplikojnë masën e izolimit të plotë, në tentim që parandalojë përhapjen e mëtejme të coronavirusit.
Niveli i katër i mbrojtjes nënkupton mbylljen e të gjitha dyqaneve që nuk janë edhe aq të nevojshme në këtë kohë, siç janë butiqet dhe kafenetë dhe në shikim të parë Londra dukej si “qytet fantazmë”. /Telegrafi/