Situata me zjarret në Shqipëri vazhdon të jetë kritike.
Pasditen e së martës, zyrtarë të bashkisë së Lezhës konfirmuan se një biznes privat është djegur në afërsi të plazhit të Rana e Hedhun, në zonën turistike të Shëngjinit.
Zjarri ka prekur çadrat dhe rrethojën në kompleksin turistik Inheritor, i cili ndodhet pranë portit të Shëngjinit, në atë që njihet si Rana e Vogël, e cila ka shërbyer më parë si zonë ushtarake. Sipas raportimeve, disa turistë po largohen nga zona për shkak të rrezikut nga flakët.
Autoritetet në Shqipëri, gjatë paradites së së martës, raportuan për përhapjen e zjarreve në qytetin bregdetar të Shëngjinit, duke theksuar se po punohet për mbrojtjen e banesave dhe hoteleve në zonë. Banorët e afërt janë evakuuar, ndërsa pushuesit besohet se ndodhen në vende më të sigurta, larg vatrave të zjarrit.
Flakët në Malin e Shëngjinit kanë nisur që nga e shtuna pasdite, dhe zjarri është rindezur në mëngjesin e hënës. Për shkak të erës, izolimi i vatrave të zjarrit aktualisht është i pamundur.
Në një njoftim të Prefekturës së Lezhës, mëngjesin e së martës, u theksua se “vatra e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin ka dalë plotësisht jashtë kontrollit”. Gjatë natës, 20 mjete zjarrfikëse dhe personel i specializuar kanë operuar në përpjekje për të lokalizuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, ndërsa monitorojnë situatën me vëmendje.
Një pushues në Shëngjin, i ka dërguar Telegrafit një video në të cilin shihet një pjesë e madhe e qytetit i mbuluar me tym./Telegrafi/