Site icon Telegrafi

Pamje të Ushtrisë së Kosovës në 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës kanë paralajmëruar manifestimin mbarë kombëtarë të Epopesë së UÇK-së.

Ushtarët e Kosovës janë rreshtuar në nderim të Epopesë së UÇK-së.

“Në nderim të 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së sot në kazermën “Adem Jashari” u rreshtuan ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të filluar manifestimin mbarë kombëtarë “Epopeja e UÇK-së, thuhet në njoftimin që është bërë bë llogarinë zyrtare në Facebook.

Krerët shtetërorë nderuan lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria mban vulën e familjes Jashari.

“Kjo liri dhe ky shtet mbajnë vulën e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të 3.000 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra luftëtarëve që i kemi edhe sot mes nesh. Ata janë mishërim i trimërisë dhe nderit”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova do të jetë “shtet i pavarur përjetësisht” dhe se ky shtet është amaneti i dëshmorëve.

Lexo po ashtu Qindra vizitorë në Prekaz: Kontributi i familjes Jashari është i jashtëzakonshëm

“Duke nderuar përjetësisht Jasharajt legjendarë, Prekazin historik, dhe të gjithë të rënët nën flamurin madhështor të UÇK-së, marrim frymëzimin dhe energjinë e pashtershme për të marshuar para në rrugëtimi ne pandalshëm e të pathyeshëm për të realizuar idealin e tyre të shenjtë, ruajtjen e mbrojtjen e integritetit territorial e sovranitetit të vendit të pavarur”, tha Osmani gjatë ceremonisë së organizuar në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ndërsa kryeministri Kurti ka thënë se më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua nga Serbia fashiste e Sllobodan Millosheviqit, e cila ka menduar se duke vrarë Adem dhe Hamëz Jasharin, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës.

“Duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e NATO-s e veçanërisht të SHBA-së, që u përfshinë më pas në luftë për t’i dhënë bashkë goditjen përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në vitin 1999”, ka thënë Kurti.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Exit mobile version