Pas fotove të publikuara pak viteve më parë, ku dukej trupi i pajetë i Bajram Currit, dy fotot e varrimit tregojnë radhë të njerëzve duke bërë nderimet e fundit…
Katër foto të rralla që dëshmojnë momente nga homazhet e varrimit të Bajram Curri,t mund të hedhin dritë mbi detaje të panjohura nga ngjarje e bujshme e prillit 1925, ku Bajram Curri u gjet i vrarë në një shpellë në malësitë e Gjakovës.
Fotot ruhen në një dosje në Arkivin Qendror të Shtetit, së bashku me dy foto të tjera që tregojnë trupin e pajetë.
Shënimet pas këtyre fotove nuk japin detaje mbi ngjarjen, as për momentin e fotografimit, por detajet në fotografi dëshmojnë për dy momente të ndryshme fotografimi: Momenti i parë pasi është vrarë, që tregon Bajram Currin me një kostum stofi të errët e të vjetër, me pjesën e sipërme të kokës krejtësisht të dëmtuar e të mbuluar me fasha të bardha.
Ndërsa, momenti i dytë i fotografimit rrëfen çastet e homazheve që janë mbajtur para trupit të tij.
Në njërën prej fotove duket imami që këndon lutjet e fundit në ceremoninë mortore dhe në rresht duken një varg i gjatë pjesëmarrësish në funeral, mes tyre, veç të afërmeve me veshje të zonës së malësisë së Gjakovës, duket edhe një ushtarak e zyrtarë të tjerë me kostume e kapela.
Mendohet se fotot janë realizuar nga Ahmet Zherka, një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme.