Site icon Telegrafi

Pamje të reja që tregojnë se George Floyd nuk i kishte rezistuar arrestimit të policisë amerikane

Policia në Minneapolis kishte njoftuar se George Floyd i ka rezistuar arrestimit. E në videon e publikuar nga CBS Evening News, shihet që George nuk kishte rezistuar policëve derisa ata i vendosën prangat në duar dhe më pas e përplasin në tokë.

“Ju lutem, mos më vrisni”, dëgjohet duke bërtitur tashmë i ndjeri, vdekja e të cilit ka shkaktuar protesta të shumta në vendlindjen e tij, transmeton Telegrafi.

Më pas njëri nga policët për afro pesë minuta i mban gjurin në qafë, edhe pse George vazhdimisht i luste që mos ta bëjnë dhe ta lënë të qetë.

“Ju lute mos, nuk po mund të marrë frymë”, ishin fjalët e fundit të George Floyd, i cili punonte si roje në një restorant, kurse familjarët e tij thonë se ai kurrë nuk i kishte bërë askujt keq.

Është interesant se si kalimtarët e rastit vazhdimisht i bënin thirrje policit që ta heq gjurin nga qafa e tij, por atij as që i bënin përshtypje ato thirrje.

“Nuk po lëviz, nuk po merr frymë”, dëgjohen kalimtarët duke i thënë policit. E pasi mbërriti autoambulanca, Floyd tashmë shihej se kishte vdekur. Thuhet se truri ka qëndruar gjatë pa oksigjen. /Telegrafi/

Exit mobile version