Me 250 kamera të trupit u pajisën policët e Kosovës këtë të martë, pasi i pranuan donacion nga Ambasada amerikane në Prishtinë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën tek policët.
“Këto kamera do të jenë të dobishme për punën e Policisë se Kosovës me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së policëve”, u shpreh Hoxha në një konferencë për media.
Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se kamerat e trupit do të rrisin besimin e qytetarëve në polici, do të ofrojnë dëshmi të paanshme të ndërveprimeve ndërmjet policisë dhe komuniteteve si dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien.
Ai shtoi se ky donacion është dëshmi e bashkëpunimit dhe përkushtimit për sundim të ligjit në Kosovë.
E faza testuese e përdorimit të këtyre kamerave ka filluar rreth një muaj më parë nga Njësia për Kontroll të Autostradave, për të vazhduar më pas edhe me njësitë tjera policore.
Varësisht nga njësiti ku operojnë do të zgjidhet edhe mënyra e vendosjes së kamerës. E me pajisjet e reja pritet që të monitorohen edhe sjelljet e policëve, gjë që do t’i ndihmojë edhe Inspektoratit Policor të Kosovës. /Telegrafi/