Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), “Adem Jashari” në Prishtinë, të martën u inaugurua Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.
Në po këtë ditë FSK-ja u furnizua edhe me 15 kamionë multifunksionalë të firmës gjermane “RheinMetall”.
E pas ceremonisë së inaugurimit të kësaj qendre, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari panë nga afër flotën e kamionëve të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë.
“Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman. Nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion”, tha Kurti.
Sipas tij, këta kamionë multifunksionalë janë të pajisur me teknologji moderne dhe janë të dizajnuar për operacione logjistike dhe veçanërisht taktike.
E Zyra e Kryeministrit në një njoftim për media ka bashkëngjitur edhe fotografi të flotës së kamionëve ushtarakë. /Telegrafi/