Gazetari Ilir Ikonomi ka publikuar një filmim të rrallë dhe ndoshta i vetmi i njohur deri më sot i delegacionit shqiptar që shkoi në Neuwied të Gjermanisë, për t’i dorëzuar Princ Vidit kurorën e Shqipërisë. Videoja tregon arritjen në Vjenë më 24 shkurt 1914, tre ditë pas takimit me princ Vidin (Wilhelm Wied).
Kryeqyteti austriak ishte përfshirë nga kërshëria për të parë delegacionin shqiptar dhe kreun e tij, Esat pashën, sepse prej muajsh gazetat nuk pushonin së foluri për shtetin e ri, për mundimet dhe krizat që ishin dashur të kapërceheshin deri në arritjen e pavarësisë dhe sidomos, sepse mu për këtë shkak, Austro-Hungaria ishte gjendur dy herë në prag të luftës me ultimatumet që i kishte drejtuar Malit të Zi dhe Serbisë.
Në video duket Esat pasha me kallpak në kokë. Njeriu që i pret në stacion dhe shtrëngon duart me ta duket të jetë Gjergj Pekmezi, profesori i nderuar i Universitetit të Vjenës që do të shërbente si përkthyes dhe shoqërues i delegacionit. Shqiptarët vizituan muzeun ku ishte ekspozuar shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut. Një ditë tjetër shkuan në një fabrikë që merrej me prodhimin e telefonave dhe aparateve të telegrafisë pa tel. Gjatë vizitës, Esatit i bënë një befasi: në fabrikë arriti për demonstrim një telegram në frëngjisht ku shkruhej: “Rroftë Shqipëria! Rroftë gjenerali i shquar Esat pasha!” Në fund të vizitës, më 28 shkurt, Esati dhe më pas e gjithë dërgata u pritën nga Perandori i Austro-Hungarisë Franz Joseph. Esati i tregoi Perandorit përshtypjet nga stërvitja që kishte parë në një akademi ushtarake afër Vjenës.
ESAT PASHA: Unë jam vetë ushtarak, Madhëri, por atë që pashë dje nuk e kisha parë kurrë në jetën time. U entuziazmuam të gjithë dhe dua ta uroj Madhërinë Tuaj për ushtarët e shkëlqyer. Do të donim që, në një të ardhme jo të largët, të kishim vetëm një miniaturë të asaj që pamë në Akademi.
PERANDORI: (Me të qeshur) Shpresoj të gjeni një ministër financash, i cili me shkop magjik t’ju sjellë milionat që ju nevojiten për këto plane.
Princ Vidi, ose “Mreti” siç e quanin shqiptarët, arriti në Shqipëri më 7 mars 1914, por mbretërimi i tij zgjati vetëm gjashtë muaj, sepse vendi u përfshi shpejt nga trazirat.