Një ngjarje sikur në filma, persona të maskuar e të veshur me ngjyrë të zezë, me kallashnikov e pushkë gjuetie, të cilët tentojnë të kryejnë një grabitje në një argjendari, ka ndodhur më 15 nëntor në Prizren.
Pasi kishin tentuar të grabisnin argjendarinë tre persona ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Pas vetes kishin lënë të plagosur dy persona me armët të cilat posedonin. Vendi i ngjarjes ishte rrethuar nga policia ndërsa kishte dalë edhe kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.
Të dyshuarit pasi ishin larguar nga vendi i ngjarjes ishin nisur drejt Suharekës për të përfunduar më pas në autostradë.
Para se të hynin në autostradë ata kishin ndaluar, kishin grabitur një veturë të një kalimtari e më pas ishin nisur drejt një pompe të derivateve.
Atje të njëjtit sërish nën kërcënimin e armëve grabisin bidonë me benzinë dhe kthehen në vendin ku kishin parkuar veturën me ngjyrë të zezë me xhama të errësuar.
Të njëjtës veturë i vënë flakën e më pas me veturën tjetër të grabitur me ngjyrë të kuqe nisen drejt autostradës.
KALLXO.com në emisionin e sotëm sjell pamje të grabitjes që të dyshuarit e kanë kryer në pompën e derivateve.
Në pamje shihen se të dyshuarit janë të pajisur edhe me jelekë antiplumb ndërsa në duar mbajnë armët e gjata automatike.
Nën kërcënimin e armëve detyrojnë pronarin e një pompe të derivateve të mbushin një bidon me benzinë të cilën më pas e përdorin për të djegur veturën.
“Ata pas ngjarjes shkojnë në drejtim të Suharekës, në një lokacion të caktuar e lënë veturën – nuk e dimë arsyen se pse është lënë vetura, kanë dalë në rrugë e kanë ndaluar një veturë një qytetar kalimtar e detyrojnë me forcë dhe presion të armëve me dalë nga vetura. Grabisin veturën shkojnë në një pompë të derivateve marrin benzinë kthehen e djegin veturën dhe largohen në drejtim të Suharekës”, tregon kryeprokurori Admir Shala.
Të dyshuarit sipas Shalës kanë sulmuar me armë edhe Policinë.
“Policia i është vënë në ndjekje, një patrullë është ballafaquar me të dyshuarit, këta gjuajnë në drejtim të Policisë dhe arrijnë që të largohen, t’i shmangen patrullës së Policisë normalisht duke përdorur edhe gjuajtjet me armë të gjata”, vazhdon të tregojë Shala.
Më 15 nëntor, pronari i një argjendarie në Prizren dhe djali i tij janë plagosur me disa plumba të cilat ishin shkrepur nga një grup prej tre personash të cilët tentuan t’i grabisnin.
Dy të plagosurit nuk ishin caku i vetëm i grupit të dyshuar të grabitësve pasi që të njëjtit plumba kishin shkrepur edhe ndaj veturës së policisë deri sa po tentonin të largoheshin pas veprimeve që kishin kryer.
Të armatosur me Kallashnikovë e pushkë gjuetie e armë të shkurta, një çekan, maska e doreza të zeza, tre personat ishin nisur drejt një argjendarie në qendër të Prizrenit për të grabitur stoli ari.
Në hyrje të argjendarisë, të dyshuarit ishin përballur me pronarin dhe djalin e tij me ç’ rast këta të fundit u plagosën rëndë.
Ngjarja u regjistrua në disa kamera sigurie dhe ishte provë e fortë për Prokurorinë në Prizren që të nisin hetimin dhe zbulonin grupin që dyshohej se shkaktoi frikë e plagosje mbrëmjen e së hënës së javës që kaluam.
Menjëherë pasi kishin plagosur pronarët, të dyshuarit me një veturë me ngjyrë të zezë ishin larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa grabitja në argjendari mbeti vetëm tentativë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka treguar se si nisi hetimi deri sa shpjegon se në natën kritike kishte dalë edhe vetë në vendin e ngjarjes.
“Jemi njoftuar nga ana e Policisë se në Prizren është bërë një tentim-grabitje në një lokal të argjendarisë ku tre të dyshuar, dy me armë të gjata e një të shkurtër, të cilët kanë hyrë në lokal për të grabitur por kanë hasur në rezistencë nga pronari dhe djali i tij dhe gjatë përleshjes ka ardhur edhe deri te shkrepja me armë të zjarrit ku kemi gjetur në vendin e ngjarjes disa gëzhoja, si pasojë janë plagosur pronari i lokalit dhe djali i tij”, tregon kryeprokurori Shala deri sa shtonte se të dy ende janë duke u trajtuar për shkak të plagëve që kanë marrë.
Kryeprokurori tregon se gëzhojat e armëve do të dërgohen në forenzikë derisa shpjegoi tutje se informacionet e para ishin se në rast të dyshuarit kanë poseduar edhe një kallashnikov.
Kryeprokurori Shala vazhdon të shpjegojë rrjedhën e ngjarjes pas plagosjes së dy personave në qendër të Prizrenit.
“Të njëjtit kanë ardhur me një veturë me xhama të errësuar dhe kur rezistojnë pronarët e lokalit hyjnë në veturë dhe ikin nga vendi i ngjarjes, vazhdojnë në drejtim të Suharekës në një lokacion e lënë veturën nuk e dimë arsyen pse, kanë dalë në rrugë kanë detyruar një qytetar që të dalë nga vetura dhe janë kthyer më pas e kanë djegur veturën e parë që ishte përdorur në vendngjarje”, vazhdon të tregojë kryeprokurori i Prizrenit.
Veprimet e të dyshuarve nuk ndalojnë. Ata nën kërcënimin e armës nisen drejt një pompe të derivateve marrin karburant dhe kthehen e djegin veturën me ngjyrë të zezë me xhama të errësuar.
Deri më tani katër persona janë arrestuar, dy për disa vepra penale të ndryshme ndërsa dy të tjerë për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes.
R.F., dyshohet se dy ditë para se të ndodhte ngjarja kritike u ka dhënë veturën e tipit “Passat” me ngjyrë të zezë tre personave ndërsa ka qenë në dijeni se të njëjtit do të kryenin veprën penale të grabitjes.
L.L., dyshohet se së bashku me I.Q., kanë tentuar të grabisnin argjendarinë në Prizren, kanë plagosur dy persona, kanë djegur dy vetura, njëra nga to e grabitur në rrugë, kanë gjuajtur me armë drejt Policisë gjatë ikjes kanë shkaktuar rrezik për qytetarët si dhe kanë poseduar armë pa leje.
Njëri nga të arrestuarit i cili është vënë në pranga katër ditë më parë dyshohet se një natë para ngjarjes kritike së bashku me L.L., kanë blerë dorëza e maska të zeza në një qendër tregtare në Prishtinë.
Dy nga të dyshuarit për plagosjen dhe grabitjen në Prizren janë të njohur për organet e rendit dhe drejtësisë. Madje njëri nga ta konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë.