Rrjeti televiziv Sky News bën të ditur se ka siguruar pamjet e marra nga kamerat e sigurisë të cilat tregojnë një burrë që kuptohet të jetë Ali Harbi Ali duke ecur përgjatë një rruge në veri të Londrës vetëm disa orë para vrasjes së deputetit konservator Sir David Amess.
Sipas mediumit në fjalë, përcjell Telegrafi, 25-vjeçari, i cili është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e Sir David Amess, shihet duke ecur ngadalë përgjatë trotuarit të premten në mëngjes.
Me një çantë shpine mbi shpatullën e tij të djathtë ai shihet i veshur me një xhaketë të gjelbër dhe syze, me dorën në xhepin e majtë.
Pamjet video janë filmuar nga jashtë një dyqani në Highgate Road në orën 8.44 të mëngjesit.
Ali, i cili jetonte disa rrugë larg, mendohet se ishte duke ecur në stacionin hekurudhor Gospel Oak në atë kohë.
Policia po heton lëvizjet e Ali në orët para sulmit dhe po shqyrton nëse ai ka hipur në një tren në stacionin Gospel Oak për të udhëtuar në Leigh-on-Sea, Essex.
Ndryshe, deputeti konservator u godit me thikë për vdekje të premten ndërsa po bënte një takim rutinë elektoral në një kishë. 69-vjeçari ishte duke u takuar me votuesit kur ndodhi sulmi.
Dhe menaxheri i dyqanit i tha Sky News se policia kishte kërkuar të shihte pamjet e kamerave të sigurisë të shtunën në mëngjes.
Ai tha se ata në mënyrë specifike kërkuan të shihnin një afat kohor midis 08:30 të mëngjesit dhe 09:00 të mëngjesit dhe se ai kishte dorëzuar një kopje të videos. /Telegrafi/