Telegrafi

Pamje nga përfundimi i bastisjes në shtëpinë e ish-ushtarit të UÇK-së, në Prishtinë

Ka përfunduar bastisja në shtëpinë e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila kishte nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Nga zyra për informimin të EULEX-it për Telegrafin kanë thënë se nuk kanë mandat për të ndërmarr veprime të bastisjeve.

Por sipas tyre, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore.

“Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje apo të ndalimin e personave.

Në kuadër të kufizimeve të mandatit aktual të tij për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, për sa i përket këtyre procedurave, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike dhe operacionale për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen nga zyra për informim të EULEX-it.

Lexo po ashtu Bastisja në Prishtinë, flasin nga EULEX-i

Ndërkaq, përmes fotografive që ka siguruar Telegrafi shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës para një shtëpie në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

Policia e Kosovës jashtë këtij objekti ka vendosur edhe shiritin e sigurisë në dy anët e rrugës.

Bastisja është kryer në shtëpinë e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Behar Berishës.

Berisha ka qenë bashkëluftëtar i Sali Mustafës – Calit.

Gjithashtu, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Klinaku ka shkruar se duke pasur parasysh këtë, “thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00”. /Telegrafi/