Telegrafi

Pamja e re e Piramidës së Tiranës, një vend më shumë për t’u vizituar në kryeqytet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot pamje nga Piramida e Tiranës pas përfundimit të një projekti për rikonstruksionin e kësaj godine historike për kryeqytetin shqiptar.

Piramida e Tiranës tashmë do të përdoret si qendër inovative për të rinjtë që i përkushtohen teknologjisë digjitale.

“Piramida e Rilindur për t’u bërë zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe streha më e madhe në rajon e të rinjve e të rejave që i përkushtohen teknologjisë digjitale”, shkruan Rama në Facebook.

E përurua më 14 tetor të vitit 1988, Piramida e Tiranës u konceptua si muzeu i diktatorit Enver Hoxha.

Kjo strukturë u projektua si krahë shqiponje, simbol i vetë kombit, por i dukshëm si i tillë vetëm nga lart. Ndërsa nga këndvështrimi i kalimtarit ngjason me një piramidë. Për projektimin e saj punoi një grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës dhe dhëndrit të Enver Hoxhës.

E njohur në zhargonin e përditshëm si piramida, ajo zuri vend në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një nga pikat më të rëndësishme të qytetit. Pas vitit 1991 ajo u kthye në qendër konferencash e panairesh.

Piramida e Tiranës tashmë do të kthehet në qendër për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore. /Telegrafi/