Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka folur për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen prodhuesit vendor. Ai gjithashtu ka folur edhe për taksën prej 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe se si ndikon kjo te bizneset vendore.
Palushi ka thënë se ndonëse taksa për produktet e Serbisë është e vonuar, ajo është e qëlluar dhe e fuqizon prodhimin vendor.
“Duke e pasur parasysh sjelljen e Serbisë karshi Kosovës në përgjithësi, e në veçanti për prodhuesit vendor, ka qenë një taksë e qëlluar. Tashmë efektet e para po vërehen dhe është rritur vetëdija e qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore”, tha ai.
Pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi tha se edhe lënda e parë që është importuar nga Serbia mund të zëvendësohet me vendet e BE-së.
“Një pjesë e prodhuesve kanë importuar lëndë të parë nga Serbia, tashmë pas taksës këto do të evitohen, sepse do të ketë alternative të tjera ku do të furnizohemi nga vendet tjera, siç është Gjermania dhe Holanda, e cila do të ketë një rritje të kostos së transportit, e cila do të ndikoj në fitimet tona, por do të ketë furnizim të rregullt në tregun tonë”, tha ai.
Palushi ka treguar se për shkak të barrierave të Serbisë për bizneset që kanë dashur të eksportojnë ka qenë i pamundur kalimi atje qoftë edhe transit.
“Për shumë vite ka qenë e pamundur kalimi transit përmes Serbisë, sepse nuk kanë lejuar që të transportojnë, edhe pse tashmë nuk ka problem për transit, mirëpo kemi problem të eksportojmë në Serbi, ku tashmë e kemi rritur transportin, por pengesat janë që është e pamundur që të gjendet një partner, i cili do të pranonte të liferonte produktet tona. Përgjegjëse kryesore është Qeveria e Serbisë me politikat e saja të cilat janë negativ karshi Kosovës”, ka thënë biznesmeni Shaqir Palushi.
Ai ka treguar se kompania e tij, pijen energjike Golden Eagle dhe pijet Relax i eksporton në mbi 20 vende të botës.
Palushi ka treguar edhe për problemet që përballën gjatë eksportit të mallrave në Shqipëri si dhe për ambientin e të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/