Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të vijnë në Kosovë, për t’u takuar me kryeministrin, Albin Kurti, konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel.
Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.
Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Edhe në Kosovë është kërkuar që të ketë një angazhim më të madh amerikan në dialog. Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së është rritur në shumë çështje që nga zgjedhjet presidenciale amerikane, ku fitoi Joe Biden.Me administratën Biden, BE-ja thotë se e ka “më të lehtë të bashkëpunojë”, ndërkaq, Ballkani Perëndimor është një rajon ku ky bashkëpunim shihet si i domosdoshëm.
Para dy ditësh, Lajçak takoi në Bruksel Palmerin dhe më të kishte biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. /Rel/