Telegrafi

Pallaska: Grabovci nuk është “shefi i shefave”

Avokati dhe njohësi i çështjeve politike, Dastid Pallaska, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka komentuar intervistimin e sotëm nga prokurori të ish Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, lidhur me aferën e përgjimeve “Dosja e shefave”.

Pallaska ka thënë se “Tash kur shokët e kanë braktisur dhe e kanë lënë në mëshirën e fatit, Grabovcit duhet t’i ipet mundësia të bëhet dëshmitar bashkëpunëtor”, transmeton Telegrafi.

Lexojeni të plotë postmin e Pallaskës:

Grabovci sonte nuk është brengosur vetëm për faktin që po ballafaqohet me drejtësinë.

Brenga e tij më e madhe duhet të jetë që drejtësinë mund t’ia ndajnë po ato kuadro që i vendosi ai me shokë në sistem të drejtësisë, dhe jo vetëm.

Grabovci e di se çfarë drejtësie mund të pres nga këto kuadro tash që ka rënë nga pushteti dhe që shokët e tij po e përdorin si “shembull” i “luftës kundër korrupsionit.”

Sado absurde që mund të tingëllojë, sonte Grabovci duhet të ketë vetëm një dëshirë – të gjykohet drejtë.

Në shtetin e kapur që e ka krijuar ai me shokët e tij, gjykimi i drejtë është padyshim një dukuri deficitare.
Tash kur shokët e kanë braktisur dhe e kanë lënë në mëshirën e fatit, Grabovcit duhet t’i ipet mundësia të bëhet dëshmitar bashkëpunëtor. Të gjithë e dijmë se Grabovci nuk është “shefi i shefave.”

Kjo është qasja që duhet të ndiqet nga Prokuroria e Shtetit nëse me të vërtetë synohet të hetohet kapja e shtetit. /Telegrafi/