Avokati Dastid Pallaska në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Gjykatën Speciale.
Ai tha se ky mision nuk ka lejuar që Kosova të bie në nivel shumë të thellë të korrupsionit.
Sipas tij, EULEX ka dështuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë që ta bëjë edhe më funksional, por ka pamundësuar që Kosova të bie në nivele shumë të thella korruptive, sikur disa vende në rajon.
“EULEX-i ka dështuar që ta përmirësojë sistemin e drejtësisë dhe ta bëjë më funksional. Nuk ka bërë punë të madhe në Kosovë, por e ka pengu degradimin e sistemit të drejtësisë edhe më tutje, e që do të ishte i paevitueshëm sikur mos të kishte fare edhe prezencë ndërkombëtare. Shembull më i mirë është Shqipëria që për mua është ndër vendet me sistemin më të korruptuar të drejtësisë…”, ka thënë ai.
Pallaska mes tjerash ka folur edhe për rolin e këtij misioni në tema të mëdha që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, si luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.