Site icon Telegrafi

“Palestinezët i kemi shfrytëzuar për mbrojtje nga minat”, dëshmon ushtari izraelit

Ushtria izraelite i detyronte palestinezët të hyjnë të parët në shtëpitë dhe tunelet që potencialisht ishin të minuara në Gaza, sipas një ushtari të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe pesë ish-të arrestuarve që thanë se ishin viktima të kësaj praktike.

Ushtari tha se njësia që drejtonte mbante dy të burgosur palestinezë me qëllim të qartë që t’i shfrytëzonte për ‘deminim’ të vendeve të rrezikshme dhe pretendoi se kjo praktikë ishte e zakonshme midis njësive izraelite në Gaza.

“Ne u thamë atyre të hyjnë në ndërtesë para nesh. Nëse ka mina të fshehura, ata do të vdesin për ne”, tha ushtari izraelit, shkruan cnn.

Kjo praktikë në ushtrinë izraelite quhet “protokolli i mushkonjave”. Shtrirja e kësaj praktike nuk dihet, por dëshmitë tregojnë se ajo ishte e përhapur në të gjithë Gazën.

Ushtari shpjegoi se në fillim njësia e tij përdorte procedura të standardizuara përpara se të hynte në një ndërtesë të dyshimtë: dërgimin e një qeni ose goditjen me një predhë tanku.

Por, një ditë një oficer i inteligjencës u shfaq me dy të burgosur palestinezë, 16 dhe 20 vjeç, dhe u tha ushtarëve që t’i përdornin si mburoja njerëzore përpara se të hynin në ndërtesa.

Oficeri i inteligjencës pretendoi se ata ishin të lidhur me Hamasin. Kur ai vuri në dyshim praktikën, komandanti i tha ushtarit “më mirë të vdesin palestinezët sesa ne”.

Ushtari tha se ai dhe shokët e refuzuan këtë praktikë pas dy ditësh dhe për këtë arsye u sollën para një komandanti të lartë. Ai fillimisht u tha atyre të mos mendonin për të drejtën ndërkombëtare dhe theksoi se jeta e tyre ishte më e rëndësishme, dhe më në fund u zbut dhe i liroi dy palestinezët. Fakti që ata u liruan ia bëri të qartë se këta të dy nuk kishin asnjë lidhje me Hamasin dhe nuk ishin terroristë.

Ndryshe, Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për përdorimin e civilëve në Gaza si mburoja njerëzore.

E drejta ndërkombëtare ndalon përdorimin e civilëve për të mbrojtur aktivitetet ushtarake ose përfshirjen e detyruar të civilëve në operacionet ushtarake. Gjykata e Lartë e Izraelit e ndaloi në mënyrë specifike këtë praktikë në vitin 2005, pasi grupet e të drejtave ngritën një padi për përdorimin e civilëve palestinezë nga ushtria për të trokitur në dyert e militantëve të dyshuar në Bregun Perëndimor.

Izraeli ka akuzuar vazhdimisht Hamasin për përdorimin e civilëve në Gaza si mburoja njerëzore, gjë që Hamasi e ka mohuar. Ka prova të shumta për këtë: armë të vendosura brenda shtëpive, tunele të gërmuara nën lagje të banuara dhe raketa të lëshuara nga të njëjtat lagje drejt territoreve me popullsi të dendur.

Për shkak të kësaj praktike, ushtria izraelite shpesh fajëson Hamasin për numrin e jashtëzakonshëm të viktimave civile në Gaza. Sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 42 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori i kaluar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Kombet e Bashkuara thonë se shumica e të vdekurve janë civilë. /Telegrafi/

Exit mobile version