Pavarësisht luftimeve të ashpra dhe të vazhdueshme mes forcave izraelite dhe Hamasit në Rripin e Gazas, palestinezët nuk i ndali kjo që të dalin dhe të falin Bajramin në rrënojat e xhamisë Al Rahma në Khan Younis.
Ajo është shkatërruar nga forcat izraelite gjatë sulmeve ajrore, por palestinezët nuk i pengoi kjo që të shënojnë festën e Bajramit, transmeton Telegrafi.
Ndryshe në këtë rajon izraelitët po vazhdojnë të shënjestrojnë grupet e armatosura të Hamasit, për të cilët IDF-ja thotë se do të jenë cak i vazhdueshëm i sulmeve.
Në anën tjetër, tetë ushtarë izraelitë kanë humbur jetën të shtunën në jug të qytetit Rafah nga një shpërthim dhe po konsiderohet si dita më vdekjeprurëse për ushtrinë izraelitë që nga janari, kur 21 ushtarë humbën jetën kur dy ndërtesa u shembën në pjesën qendrore të Gaza.
Nga ministria e Shëndetësisë në Gaza që drejtohet nga Hamasi, kanë njoftuar se 37 mijë palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite që nga tetori i vitit të kaluar. /Telegrafi/