Site icon Telegrafi

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Murati: Rishikimi i politikave tatimore do të bëhet në koordinim me sektorin privat

Vazhdimi i masave të përkrahjes në kuadër të Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike për ndërmarrjet e goditura nga pandemia COVID19, rishikimi i mundshëm i politikave tatimore dhe luftimi i ekonomisë joformale ishin çështjet kryesore të diskutuara sot në forumin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Murati tha se çfarëdo rishikimi i politikave tatimore do të bëhet në koordinim të ngushtë me sektorin privat, ndërsa një vendim i mundshëm do të pasojë një analizë të thukët të të gjithë sektorëve të ekonomisë.

Në këtë aspekt, ai tha se MFPT është duke bërë përpjekje që të ketë një pasqyrë të qartë të ekonomisë në Kosovë, në mënyrë që të lansohet një fushatë formalizimi për të gjithë sektorët.

Ministri theksoi se politikat tatimore në Kosovë janë të konsoliduara mirë, por megjithatë ka disa hapësira të cilat kërkojnë rregullim e të cilat mund të ndikojnë edhe në rritjen e mbledhjes së të hyrave buxhetore.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka kërkoi nga Murati që të shmanget mundësia e vendosjes së tatimeve të reja ose rritjes së normave ekzistuese tatimore, derisa ekziston mundësi reale nga mbledhja e më shumë të hyrave buxhetore përmes luftimit të ekonomisë joformale.

Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të sektorit privat shprehën shqetësimet e tyre lidhur me praninë e lartë të aktiviteteve joformale, si dhe të nevojës për rritje të integritetit dhe llogaridhënies brenda institucioneve tatimmbledhëse në vend. /Telegrafi/

Exit mobile version