Site icon Telegrafi

Paketa konjukturore: Gjermania në krye të shteteve evropiane

Gjermania kalon një hap përpara fqinjëve me paketën e re konjukturore. Masat e emergjencës pasohen nga fonde e ulje taksash për të ndihmuar ekonominë pas pandemisë.

Paketën konjukturore e pritën me duartrokitje shumë ekonomistë në Gjermani. Të kënaqura janë edhe partitë e koalicionit qeveritar, konservatorët e CDU/CSU dhe socialdemokratët për atë që arritën, pas 21 orë negociatash.”Ne kemi gjendjen më të vështirë ekonomike që kur ekziston Republika Federale”, kujtoi kancelarja Angela Merkel.”Tani është një kohë kur shteti duhet të bëjë më tepër se ç’bën normalisht”.

Paketa konjukturore kap shumën 130 miliardë Euro. Kjo shumë është rreth katër përqind e prodhimit ekonomik të vjetshëm të Gjermanisë. Është paketa më e madhe konjukturore që ka miratuar ndonjëherë qeveria gjermane. Dhe ajo e vë Gjermaninë në pararojë të shteteve evropiane: asnjë nga fqinjët nuk ka kaluar deri tani nga masat e emergjencës në politika për rindërtimin dhe që nxisin kërkesën e konsumatorit.

Kjo është paketa e dytë pas paketës me masa emergjente, që u miratua në mars. Ajo ishte nga paketat më të mëdha të ndihmës në botë: 353 miliardë Euro masa me ndikim në buxhet dhe 819,7 miliardë Euro si garanci.

Cilët sektorë të ekonomisë dhe cilat shtresa të popullatës mbështet paketa?

Paketa konjukturore përmban 57 pika. Dhe siç e theksoi edhe kryetari i CSU-së, kryeministri bavarez Markus Söder, një nga aspektet qëndrore është ulja e TVSH-së, taksës mbi vlerën e shtuar (financohet me 20 miliardë Euro). Ajo do të ulet për gjashtë muaj, nga 1 korriku deri në 31 dhjetor 2020. Nga 19 përqind aktualisht do të bëhet 16 përqind. Atje ku është shtatë përqind, si p.sh. te ushqimet, do të bëhet pesë përqind. Kancelarja Merkel tha se ulja e TVSH-së “në aspektin social është bërë në mënyrë shumë të drejtë”.

Dhe me të vërtetë, ulja e TVSH-së është një masë që ndihmon para së gjithash njerëzit me të ardhura të ulëta. Ata e shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave mujore për shpenzimet e jetesës. Ulja e TVSH-së pritet të ulë çmimet e shitjes, kjo është të paktën shpresa e qeverisë. Element tjetër i ndjeshëm pritet të jetë një bonus prej 300 eurosh, i cili do të jepet për fëmijët.

Elementë të tjerë që tërheqin vëmendjen janë: ndihma për komunat: ato do të marrin për vitin 2020 një kompensim për taksën e biznesit, të cilën nuk ua paguan dot sipërmarrjet për shkak të krizës (financim me 5,9 miliardë Euro); do të ulen shpenzimet për energjinë: federata do të subvencionojë taksën për energjitë e ripërtëritshme, prej vitit 2021 (11 miliardë Euro); paketa lehtëson sipërmarrjet: hapësira për kompensimin e humbjeve aktuale të sipërmarrjeve ndaj fitimeve nga vitet e kaluara do të zgjerohet deri në vitin 2021; ofron grante për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe sidomos për degët më të goditura të ekonomisë si restorantet, hotelet, zyrat e udhëtimeve dhe kompanitë që organizojnë panaire: për muajt qershor deri gusht atyre u paguhen një pjesë e shpenzimeve fikse (25 miliardë Euro); hekurudha gjermane (DB) do të marrë 5 miliardë Euro për të kompensuar humbjet nga mungesa e udhëtarëve.

Industria automobilistike pa prim për automjetet me naftë

Industria automobilistike është nga dega më e madhe e ekonomisë gjermane. 800.000 vetë punëson ajo aktualisht në Gjermani. Kështu që paralajmërimi i saj, se po nuk mori ndihma do të ketë shkurtime të vendeve të punës në fabrika, tërhoqi vëmendjen këto javë. Daimler-Benzi, BMW-ja dhe Volkswageni luftuan deri në fund për një prim, për një lehtësim financiar kur blen automjete me naftë dhe me benzinë.

Por Partia Socialdemokrate tha se me të kjo kërkesë nuk do të kalonte, dhe kështu u bë. Si fitore të tyre e konsiderojnë mosmiratimin edhe shoqatat ambjentaliste dhe Të Gjelbrit, që e kundërshtuan kërkesën që në krye. Problemet me manipulimin e emetimit të gazeve të automjeteve nga shumë koncerne automobilistike, kanë bërë që tani të mos zbatohet si më parë çdo kërkesë e industrisë automobilistike.

Krejt duarbosh, megjithatë, industria automobilistike nuk doli. Nga njëra anë ajo do të përfitojë nga ulja e TVSH-së edhe për automjetet. Një veturë që kushton 30.000 Euro pritet që të kushtojë 900 Euro më pak. Por më pak do të kushtojnë edhe biçikletat, skuterat elektrikë dhe patinat. Dhe kjo është një urë drejt së ardhmes.

Nga ana tjetër, qeveria ofron lehtësime edhe më të mëdha për blerjen e automjeteve elektrike. Ai që blen një automjet elektrik deri në fund të vitit 2021 do të lehtësohet me 9000 Euro, nga 6000 Euro, sa lehtësohej nga primi aktual. Këto janë hapa drejt kthesës për një mobilitet që e mbron më mirë klimën. Siç tha kancelarja Merkel, është një paketë me “aspekte të së ardhmes”.

“Paketa e së ardhmes”

Pjesë të mëdha të paketës do të derdhen në zgjerimin më të shpejtë të standardit të telefonisë celulare 5G. Me pesë miliardë euro do të mbyllen njollat e bardha, pa sinjal për celularët, në Gjermani. Synimi është që në vitin 2025 qytetarët ta përdorin kudo me shpejtësi maksimale edhe në celularë internetin. Do të ngrihen shumë pika ngarkimi për automjete elektrike. Mbështetet gjithashtu edhe kërkimi shkencor për lëvizshmërinë elektrike, për ndërtimin e baterive për automjetet dhe për inteligjencën artificiale.

Me mbi dy miliardë euro do të ndërtohen të paktën dy kompjutera kuantikë. Siç dihet, kompjuterat kuantikë janë në gjendje të zgjidhin shumë shpejt detyra, për të cilat edhe supercompjuterve të sotëm, u duhen dekada. Një kompjuter kuantik përllogarit p.sh. të gjitha alternativat si mund të drejtohet në mënyrë optimale qarkullimi në një metropol. Apo përllogarit të gjitha mundësitë e furnizimit të një anijeje kozmike në hapësirë. /DW/

Exit mobile version