Alket Hyseni është tërhequr nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit një ditë pas dorëzimit të listave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Deputeti i Partisë Socialiste ishte pozicionuar në vendin e 11 në listën e kandidatëve për Qarkun e Vlorës.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryeministri Edi Rama i pyetur nga Euronews Albania pranoi faktin se kishte një kandidat të pakënaqur pa dhënë më shumë detaje.
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pranoi, pa i përmendur emrin, se kishte dijeni për pakënaqësinë e një kandidati për sa i përket renditjes në lista.
“Kam dijeni për një rast… mbrëmë vonë, të vetëm një kandidati që ishte shumë i bindur se nuk duhet të ishte dhe që thoshte unë do të bëj gjithçka, por s’dua të jem në këtë pozicion […] më thanë çfarë të bëjmë?! Thashë ‘kush nuk do… s’ka problem [të ikë]’, fatmirësisht s’jemi me pak kapacitete dhe me pak lojtarë,” – komentoi Rama.
Qarku i Vlorës ka 12 mandate dhe emri i z. Hyseni ishte i parafundit. Kjo duket se ka sjellë pakënaqësi nga ana e tij duke bërë që më pas të tërheqë kandidaturën.