Kylian Mbappe shkëlqeu ndaj Barcelonës të martën, ndërsa shënoi het-trik për Paris Saint-Germain në një fitore 4-1 në “Camp Nou”, por me pak fat dhe vizion ai ka mundur të vesh fanellën blaugrana.
Në verën e vitit 2017, pasi Barcelona kishte humbur Neymarin, që shkoi drejt PSG-së për një shifër rekord, klubi kishte një marrëveshje me Monacon për Kylian Mbappen, por ata zgjodhën Ousmane Dembelen.
Lajmin e ka konfirmuar agjenti Junior Minguella, që është djali i Josep Maria Minguella (këshilltar i Barcelonës) ndër vite.
“Po, kështu ishte, unë mund ta konfirmoj këtë gjë”.
“Në fakt, tani më shumë se kurrë sepse tashmë është konfirmuar versioni i historisë dhe është plotësisht i vërtetë”.
“Ne ishim në një situatë kur babai im [Josep Maria Minguella] na tha që Neymar kishte një marrëveshje me PSG-në dhe po shkonte atje”.
“Drejtorët e klubit ose nuk e dinin ose nuk e besonin dhe ne ishim në një moment në të cilin Neymar, për shkak të një bonusi të kontratës, ende nuk e kishte konfirmuar se po largohej dhe klubi na tha që ata nuk donin të hidhni një hap para se të largohej Neymar”, tregon Munguella.
Sidoqoftë, Neymar do të përfundonte duke u larguar drejt “Parc des Princes” dhe Barcelona duhej të gjente një lojtar për ta zëvendësuar atë.
Emri i Mbappe ishte në tavolinë.
“Në momentin që konfirmohet se Neymar po largohet, trajnerët dhe presidenti [Josep Maria Bartomeu], i cili nuk dëshiron t’i shkelte ata [trajnerët], kishin dyshime për lojtarin që donim ta sillnim dhe ata besonin se Dembele është më i përshtatshëm për stilin e lojës së ekipit sesa Mbappe”, shtoi Junior Minguella.
Megjithatë, Barcelona kishte përfunduar marrëveshjen me Mbappen. Ata thjesht duhej të jepnin dritën jeshile dhe francezi të bëhej lojtar i Barcelonës.
“Ne e kishim bërë marrëveshjen për 130 milionë euro plus 25 milionë [euro] bonuse”.
“Mbappe do të fitonte midis 10 deri në 16 milion [euro] neto në sezon”, tregon ai.
Mbappe ishte 18 vjeç në atë kohë dhe përfundimisht u transferua në PSG po atë verë. /Telegrafi/