Telegrafi

Pak shkëmbime tregtare Kosovë-Shqipëri

Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës vërehet një rritje e fluksit tregtar bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo ajo çka është brengosëse në këtë mes, është fakti që vlera e shkëmbimeve tregtare është shumë e ultë dhe e një kualiteti jo të kënaqshëm, duke u bazuar kryesisht në produkte bazike dhe materiale të papërpunuara pa ndonjë vlerë të shtuar të theksuar.

Kështu vlerëson Instituti për politika zhvillimore (INDEP) e cila ka realizuar një punim vlerësues të marrëdhënieve tregtare në mes të dy vendeve në prag të mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri.

Sipas autores së këtij punimi, Learta Hollaj, kjo ndodhë kryesisht për disa arsye, ku ndër më të dalluarat janë mungesa e zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe niveli i ulët i prodhimtarisë dhe si rrjedhojë oferta jo e pasur që mund t’i servojnë këto vende njëra-tjetrës.

Ajo thekson se sado që mund të duket jo relevante, praktikat tregtare dhe historiku i partneriteteve biznesore në të dy anët e kufirit nuk ka qenë në favor të avancimit të marrëdhënieve tregtare në mes të dy vendeve. “Përkundrazi, të dy vendet kanë një kulturë konsumuese të bazuar dhe të ndikuar nga vende të tjera fqinje, ku Kosova është historikisht e lidhur me Serbinë dhe Maqedoninë, përderisa Shqipëria shquhet për marrëdhëniet e ngushta tregtare me Italinë dhe Greqinë. Kjo ka ndikuar edhe në kërkesën e ulët në treg për produktet e ndërsjella të këtyre dy vendeve, që ndodh ndër të tjera edhe si mungesë e edukimit dhe njohurisë së produkteve të prodhuara në Kosovë apo Shqipëri”, vlerëson Hollaj.

Për më tepër, përkundër vullnetit dhe dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare bilaterale, tregtia në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë pre e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të shumta në vitet e fundit. /Telegrafi/