“Të dërgosh ekipin mjekësor për intervenim emergjent pa pajisje, është njësoj sikur kur dërgohet ushtari në front lufte pa armë”, sepse ekipet emergjente sot ballafaqohen me situata dhe kushte shumë të vështira dhe shpesh herë edhe të rrezikshme për vet ekipin emergjent
Prof.ass. Ymer Durmishi,
Kirurg i përgjithshëm,
Kirurg konsulent në Spitalin Universitar – Gjenevë, Zvicër
Recension libri
Manuali “Pajisjet në emergjenca mjekësore paraspitalore”, shkruar nga Prof. dr. Isuf Bajrami është kurorëzim i përvojës dhe përkushtimit shumë vjeçar të profesor Bajramit, i cili mori kurajon të shkruaj një libër të tillë kaq përmbledhës dhe kaq me rëndësi.
Një sukses i veçantë është aspekti teknik, sepse autori merr kurajon dhe sistemon të dhënat e rëndësishme teknike pa të cilat aparaturat dhe pajisjet moderne është e pamundur të përdoren si duhet. Një sistemim i tillë e bën më të lehtë punën dhe bashkëpunimin me ekipet teknike të testimit dhe mirëmbajtjes.
Punë kolosale nga ana e autorit, i cili nga detajet më të vogla siç është kanilla e deri te pajisjet e sofistikura i përshkruan dhe i ilustron me foto.
Ky manual i shkruar dhe ilustruar në këtë mënyrë, në mendimin tim paraqet një kontribut të rëndësishëm për punonjësit mjekësor në shërbimet emergjente mobile të kujdesit parësor, studentët e të gjitha profileve që mësojnë lëndën e Mjekësisë Emergjente, pjesëtarët e kërkim shpëtimit, instruktorët e ndihmës së parë në Kryqin e Kuq, stafit shëndetësor të ushtrisë dhe gjithë të interesuarve që ballafaqohen me urgjenca në terren.
Të mos harrojmë se shpesh herë trajtimi korrekt emergjent është vendimtar për shpëtimin e jetëve. Aspektet teknike, mënyra e sistemimit dhe përdorimit, transporti, mirëmbajtja dhe kontrolli teknik janë të domosdoshme dhe të parealizueshme pa një pasqyrim të tillë në formë të manualit, sepse natyra e emergjencave, vendndodhja dhe përfshirja e ekipeve është shumë heterogjene dhe një manual i tillë gjithëpërfshirës në 6 kapituj lehtëson ekipin emergjent në vendimmarrje adekuate, të shpejtë dhe të sigurt.
Ky libër përpos kontributit mjekësor ka edhe kontribut teknik dhe financiar, sepse u mundëson ekipeve mjekësore të kenë një pasqyrim për nevojat dhe shpenzimet e nevojshme buxhetore.
Përdorimi i të dhënave nga literatura mjekësore ju mundëson ekipeve vendore të kenë një përdorim të pajisjeve mjekësore sipas rekomandimeve ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë mundëson edhe njohjen dhe përdorimin e pajisjeve moderne.
Ky manual duhet të jetë në xhepin e të gjithë atyre që shpëtojnë jetë. /Telegrafi/