Site icon Telegrafi

“Paguhen duke qëndruar në shtëpi” – Drejtoria e Arsimit në Graçanicë keqpërdor mbi një milion euro në vit për pagat e 250 punëtorëve

Banorët shqiptarë në Komunën e Graçanicës vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha. Përveç problemeve që ata kanë aktualisht me lejet për ndërtim, të njëjtit janë të diskriminuar edhe në punësim.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi gjatë një interviste për Telegrafin, ka thënë se stafi i kësaj komune përbëhet kryesisht nga serbë, me vetëm tre shqiptarë në punë.

Ai ka thënë se kjo është shkelje e qartë e Ligjit për zyrtarë publikë dhe rregulloreve tjera.

“Banorët shqiptarë në Komunën e Graçanicës kanë jashtëzakonisht probleme të mëdha, të njëjtit janë të diskriminuar edhe në punësim pasi që nga komplet stafi i Komunës së Graçanicës, stafi që punojnë në Komunën, vetëm tre janë shqiptarë dhe të tjerë të gjithë janë serbë. Pra, nuk respektohet as Ligji për zyrtarët publikë, e as Rregulloret dhe aktet tjera nënligjore”, tha Gashi.

Gashi përmendi një rast konkret të diskriminimit nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Graçanicës.

Sipas tij kjo drejtori nuk menaxhon me asnjë institucion shkollor as në gjuhën shqipe, as në gjuhën serbe.

Lexo po ashtu Komuna e Graçanicës me standarde të dyfishta, Gashi: Shqiptarët po përjashtohen nga lejet e ndërtimit  

Gashi shton se me një staf të madh prej mbi 250 punëtorësh, një pjesë e tyre janë shpërndarë në drejtori të tjera, ndërsa të tjerët qëndrojnë në shtëpi duke marrë paga pa punuar.

Vlera e pagës së këtyre punëtorëve, e paguar nga Ministria e Arsimit, shkon përtej një milion e njëqind mijë euro në vit.

“Drejtoria e Arsimit në Komunën e Graçanicës nuk menaxhon me as me asnjë institucion shkollor, as ato në gjuhën shqipe, as ato në gjuhën serbe, por i ka të punësuar mbi 250 punëtorë, e që të njëjtit, një pjesë e tyre, diku në afër njëzet janë të shpërndarë në drejtori tjera me urbanizëm, kadastër në administratë, ndërsa të tjerët rrinë në shtëpi dhe marrin paga. Vlera sa paguan Ministria e Arsimit për ta në vit është mbi një milion e njëqind mijë euro”, tha Gashi.

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, ka deklaruar se ky problem është i rëndësishëm dhe do të adresohet në instancat kompetente.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe ne shumë shpejt do ta adresojnë këtë edhe të organet kompetente”, ka theksuar Gashi.
Ndryshe banorët shqiptarë të Graçanicës janë duke u përballur me diskriminim pasi që Komuna po aplikon standarde të dyfishta si i përket zbatimit të një rregulloreje për pajisjen me leje të ndërtimit.

Gashi ka theksuar se MAPL ka konstatuar kjo rregullore është e kundërligjshme dhe ka kërkuar nga komuna që e njëjta të shfuqizohet, derisa thotë se janë në pritje të një raporti final që do ta nxjerrë Avokati i Popullit.

Ai thotë se edhe pse MAPL ka kërkuar shfuqizimin e kësaj rregullore, Komuna e Graçanicës nuk e ka përfillë një gjë të tillë. /Telegrafi/

Exit mobile version