Gurie Lika, nga fshati Lavdar i Korçës prej vitesh punon në bujqësi dhe paguhet 1500 lekë dita (rreth 13 euro). Sipas saj kjo pagesë nuk i mjafton për të përballuar shpenzimet e ditës në familje.
“Jam e detyruar të punoj me një pagë si kjo, pasi nuk kam të ardhura të tjera” thotë Guria.
Kjo pagesë lidhet edhe me largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, por edhe me kostot e larta të produkteve.
Ylver Bylykbashi, është një nga fermerët e qarkut të Korçës, që merret me kultivimin e mollës.
Ai pranon se nëse punëtorët do të paguhen më shumë për një ditë pune, kostoja e prodhimit rritet më tej.
Fenomeni i mungesës së fuqisë punëtore duket edhe më i mprehtë në qarkun Fier.
Fermerët në zonën e Kurjanit në Roskovec, ku dominojnë ullishtet, thonë se largimi i të rinjve është një problematikë që këtë vit është bërë edhe më shqetësuese.
Ata kërkojnë ndërtimin e një pike grumbulluese për ullirin në këtë zonë.
Si çdo sektor tjetër edhe bujqësia po përballet me emigracionin ku në shumë fshatra kanë mbetur vetëm të moshuarit, ndërsa toka kërkon krah pune për të nxitur më tej degën kryesore të ekonomisë./Vizion+