Site icon Telegrafi

Pagesa K-15 në Maqedoni, afati i fundit është 31 dhjetori, pasojnë dënimet (Video)

Një media dhe një kompani tekstili kanë kërkuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë uljen e lartësisë së regresit për të punësuarit, kupton TV21 nga burime brenda Sindikatës. Me afrimin e afatit të pagesës së K-15, gjithnjë e më shpesh parashtrohet pyetja se a do ta përmbushin detyrimin ligjor të gjitha kompanitë private deri më 31 dhjetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Edhe pse ende është herët të dilet me ndonjë shifër se sa nga kompanitë private ua kanë paguar të punësuarve regresin për pushimin vjetor, megjithatë ata që e ndjekin këtë çështje, kanë pritshmëri të ulëta. Sipas Mile Boshkovit nga Konfederata e Biznesit e Maqedonisë, pritet që të punësuarve regresin e pushimit vjetor t’ua paguajnë 40 deri 50% e firmave private.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë dhe Organizatës së punëdhënësve, të punësuarve në firmat financiarisht stabile, do t’u paguhet 8400 denarë ose 40% nga paga mesatare. Megjithatë, sipas Boshkovit, ndodhë që kompanitë që punojnë me fitim, t’i shmangen pagesës së K-15-tës, gjegjësisht paratë pas pagesës, t’u kthehen firmave në dorë.

“Gjithmonë ka kombinime të atilla sepse jo të gjithë menaxherët në Maqedoni janë edukuar në mënyrë korporative, filantrope dhe holistike, ose të funksionojnë me përgjegjësi shoqërore. Këta jo vetëm që i shmangen pagesës së K-15-tës për të punësuarit, ata u shmangen edhe të gjitha shpenzimeve të mundshme dhe tatimeve, t’i paguajnë apo të mos i paguajnë ata”, u shpreh Mille Boshkov, nga Konfederata e Biznesit e Maqedonisë.

Kryetari i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë u bëri thirrje kompanive t’i përmbahen marrëveshjes.

“Nuk pres që lista e pagesës së regresit për pushimin vjetor këtë vit të jetë më ndryshe nga viti i kaluar, sepse kompanitë më të mira, tanimë kanë paguar qysh para shfrytëzimit të pushimit vjetor. Problemi mbetet tek kompanitë që kanë vështirësi financiare në punë. Këtyre u bëj apel që deri në fund të vitit, detyrimisht të lidhin marrëveshje me organizatën sindikale dhe me përfaqësuesin e të punësuarve që të mund ta rregullojnë pagesën, gjegjësisht mospagesën ose kompensimin më të ulët për pushimin vjetor”, tha Angell Dimitrov, Kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.

Detyrimi për ta paguar regresin u vendos në vitin 2014, ndërsa me këtë janë përfshirë rreth 300 mijë të punësuar në sektorin privat. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i inkurajojnë të punësuarit të cilëve nuk do t’u paguhet regresi për pushimin vjetor, të drejtohen tek Inspektorati shtetëror i punës ose të ngrenë procedurë gjyqësore kundër kompanisë. Sipas ligjit, për mosrespektimin e vendimit për të paguar K-15-tën pason dënim prej 1000 deri 4000 euro./Telegrafi/

Exit mobile version