Site icon Telegrafi

Vonesat e pagesave të punëtorëve nga Pakoja Emergjente, Ministria e Ekonomisë: Pronarët aplikuan me llogari të bizneseve

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike tregon se janë bartur në llogari subvencionet për punëtorë bazuar në masën 3 të Pakos Emergjente Fiskale.

Sipas ministrisë, arsyeja pse ende këta punëtorë nuk i kanë marrë pagat se, bizneset gjatë plotësimit të formularit kanë shkruar llogarinë e tyre bankare e jo të punëtorëve.

“Atyre të cilëve kanë kërkesë legjitime e që nuk i janë alokuar mjetet edhe pse kanë bërë kërkesën për kompensim, duhet ta kenë parasysh që bizneset gjatë plotësimit të formularit kanë vënë llogarinë e tyre bankare në vend të llogarisë së punëtorëve. Prandaj, ju lutemi përmirësoni të dhënat në lidhje me xhirollogaritë”, thuhet në njoftimin e MEPTINIS-it, përcjell Telegrafi.

Po ashtu, komisioni i përbashkët Administratës Tatimore të Kosovës dhe MEPTINIS-it, i mandatuar me Vendimin 32/2020 nga Ministria e Financave dhe Transfereve, është duke i shqyrtuar kërkesat e tatimpaguesve, të cilët kanë aplikuar për të përfituar nga Pako Fiskale Emergjente.

Me këtë rast, ky komision njofton se tani mund të dërgoni kërkesat për korrigjime, nëse keni vërejtur se gjatë aplikimit për të përfituar në njërën nga masat 3a, 3b, 7, 8 dhe 14 të Pakos Fiskale Emergjent, u është përvjedhur ndonjë gabim i paqëllimshëm.

“Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik”, thuhet në masën 3 të kësaj pakoje.

Qeveria e Kosovë ka aprovuar Pakon Emergjente Fiskale, për t’u dalë në ndihmë bizneseve, punëtorëve dhe qytetarëve në nevojë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

Lexo po ashtu Mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e dyqaneve disa nga përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale

Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. /Telegrafi/

Exit mobile version