Tanguy Ndombele u transferua me shumë bujë në vitin 2019 nga Lyoni në Tottenham Hotspur.
Por tani dy vite e gjysmë pasi ka qëndruar te Spurs, largimi i tij nga kjo skuadër duket i pashmangshëm, përkundër se londiezët shpenzuan 60 milionë euro për të.
Mesfushori francez nuk pëlqehet shumë nga trajneri Antonio Conte i cili i ka dhënë dritën e gjelbër për të gjetur një skuadër të re.
E ardhmja e Ndombeles duket se do të jetë në elitën e futbollit italian Serie A.
Roma dhe Milan janë dy skuadrat që kanë shprehur interesim për transferimin e mesfushorit francez.
Jose Mourinho e pëlqen shumë lojtarin dhe ka punuar me të së bashku në Londër, teksa Milani e sheh Ndombelen si zëvendësues të Franck Kessies.
Gjithsesi janari duket muaji i duhur që Ndombele të largohet nga Spurs, pasi Conte i ka bërë të qartë se nuk ka hapësira.
25-vjeçari ka zhvilluar 15 ndeshje këtë edicion ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim. /Telegrafi/