Drejtuesit e Paderborn duan të paktën 3 milionë euro për shërbimet e mesfushorit sulmues, Florent Muslija, për të cilin kishte shumë interesim në afatin kalimtar të janarit.
Paderborni që bën gara në Bundesliga 2, tashmë ka marrë ofertë zyrtare nga Bochumi i Bundesligës, por kishte edhe skuadra të tjera të elitës gjermane të interesuara për Muslijën.
Edhe pse nuk i ka bërë publike ofertat për mesfushorin e Kosovës, Paderborni ka bërë të ditur se Muslija nuk do të largohet në afatin kalimtar të janarit për pak para.
“Për pak para, Muslija nuk do të shitet tek asnjë klub, kjo është më se e sigurt. Ka interesim, por nuk mund të imagjinoj nëse ndonjë klub është në gjendje të bëj ofertë të tillë për Florentin, që ne do ta shqyrtojmë”, ka thënë Benjamin Weber, drejtori sportiv i Paderbornit.
Muslija është ndër lojtarët kyç ku ka shënuar 9 gola e ka bërë 6 asistime në 19 paraqitje në të gjitha garat.
Ai po ashtu që prej vitit 2019 është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, për të cilën ka shënuar një gol në 23 paraqitje. /Telegrafi/