Site icon Telegrafi

Pacollit i pëlqen ideja e Vjosa Osmanit që ajo të merrte mandatin për kryeministre

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e ka pëlqyer idenë e Vjosa Osmanit, që nëse asaj do t’i ofrohej mandati për kryeministre do ta pranonte dhe do të provonte sërish bashkëqeverisjen me VV-në.

Pacolli, përmes një postimi në Facbook, ka thënë se marrja në konsideratë e këtij skenari, prej një eksperte të së drejtës si Vjosa është konfirmim tjetër se zgjidhja e vetme është ajo në favor të vijimësisë së legjislaturës, pa lodhur popullin me zgjedhje të reja, ashtu si u shpreh Vjosa mbrëmë.

“Ideja e Vjosës mandatare ka qenë një ide e shkëlqyer. Ne si AKR, s’jemi faktor, por kjo ka qenë dëshira jonë, Rugoviste, shprehëse e vullnetit për ndryshim të brezit të ri, ajo do përfaqësonte dhe do të ekzekutonte atë nevojë për bashkim që politika dhe shoqëria kosovare ka nevojë sot”, ka shkruar Pacolli, përcjell Telegrafi.

“Bashkimi na duhet qoftë për te adresuar problemet politike të brendshme apo ndërkombëtare, qoftë, apo dhe ato ekonomike, shëndetësore, etj. Më pëlqyen idetë e saj për zgjidhjen e krizës. Dhe marrja në konsideratë e këtij skenari, prej një eksperte të së drejtës si Vjosa është konfirmim tjetër se zgjidhja e vetme është ajo në favor të vijimësisë së legjislaturës, pa lodhur popullin me zgjedhje të reja, ashtu si u shpreh Vjosa mbrëmë”, ka thënë kreu i AKR-së.

Ndryshe, Kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani ka thënë të hënën në një intervistë se nëse do t’i ofrohej mandati për kryeministre nga LDK, ajo ka thënë se do ta pranonte dhe do të provonte që t’i bënte 61 vota duke kërkuar bashkëpunim më Vetëvendosjen. /Telegrafi/

Exit mobile version