Telegrafi

Pacolli: Ushtrisë ia kemi ndryshuar vetëm emrin – gënjejnë ata që thonë se taksa nuk do të hiqet

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka nënshkruar koalicionin parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate me të cilin do të futen në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.

Duke e komentuar këtë, presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se në këto dy vite ka punuar në krah me liderin e Nismës, Fatmir Limaj dhe kanë pasur gjykime të njëjta për punët e qeverisë.

“Për këto dy vite ne kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kjo ka ndikuar që të kemi koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme”, tha ai sonte në emisionin “Debat”, në RTK.

Sipas tij, AKR nuk e ka gënjyer qytetarin as nuk ka shkuar kurrë kundër interesave të qytetarit.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se për ushtrinë nuk kemi bërë asgjë.

“Vetëm ia kemi ndryshuar emrin”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për taksën ndaj produkteve nga Serbia, Pacolli tha se fillimisht ka qenë hap i qëlluar, por gjatë procesit është dashur të adresohen disa probleme vitale për Kosovën.

“Liderët që thonë se nuk do ta heqin taksën po gënjejnë. Nuk është mirë të mashtrohet elektorati”, tha ai. /Telegrafi/