Site icon Telegrafi

Pacolli thotë se është keqkuptuar Marrëveshja për sigurimet

Rrahim Pacolli, kryesues i delegacionit të Kosovës në dialogun lidhur me kartonin e gjelbër, përmes një emaili dërguar mediave thotë se është keqkuptuar Marrëveshja me Serbinë për sigurime kufitare.

Në vazhdim sqarimi i plotë i Pacollit:

“Është krijuar një keqkuptim në lidhje me atë se a duhet paguar shtese 40 euro për të hyrë në Serbi apo jo, si nga mediat ashtu edhe nga qytetaret e shumtë. Andaj për hir të sqarimit të drejtë për opinionin dhe qartësimit të kësaj çështje ju informoj si më poshtë:

Polica e Sigurimit TPL Plus është policë e cila mbulon dëmet ndaj palëve të treta jashtë territorit të Kosovës si në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi. Pra,është një lloj Kartoni i Gjelbër, por për dallim mbulon shumë më pak territore.

Nga statistikat tona rezulton se një pjesë e madhe e personave të siguruar posedojnë edhe policë TPL Plus, që nënkupton se edhe para marrëveshjes me Serbinë, ka qenë obligative posedimi i TPL Plus-it për të udhëtuar drejt shteteve fqinje si p.sh. Maqedoni.

Pra, personat e siguruar që posedojnë policën TPL Plus, NUK kanë nevojë të paguajnë asgjë shtesë në lidhje me sigurimin e veturës për të hyrë në Serbi pasi që Polica e njëjtë e mbulon edhe territorin e Serbisë.

Për ta përmbledhur këtë dhe me shpresë se kam arritur të sqaroj situatën po e ripërsëris:

Marrëveshja me Serbinë nuk obligon qytetaret e Kosovës të paguajnë asgjë shtesë, me kusht që të kenë sigurim valid TPL Plus.

Në policën e sigurimit TPL Plus është shtuar edhe një territor i ri i mbulimit (Serbia) pa ndikuar absolutisht në çmimin e sigurimit dhe shpresoj se edhe shtete tjera fqinje do të shtohen shumë shpejtë në këtë Policë derisa të fillojmë me shitjen e Kartonit të Gjelbër.

Exit mobile version