Site icon Telegrafi

Pacolli tregon se kujt do t’i bashkangjitet AKR-ja në bërjen e Qeverisë

Shefi i shtabit zgjedhor nga Aleanca Kosova e Re, Rrahim Pacolli, ka thënë se AKR-ja do t’i bashkëngjitet partisë që e ka shumicën shqiptare, por nuk është i pajtimit që të bëjnë koalicion me PAN-in, megjithatë ka shtuar se kryesia e partisë do të vendos në të ardhmen.

Ai ka thënë se i vetmin njeri që i ka fituar zgjedhjet është Albin Kurti dhe Vetëvendosje.

Pacolli, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se AKR ka arritur t’i ketë gjashtë deputetë.

“Unë mendoj që njeriu më i votuar në Kosovë është Albin Kurti. Edhe në këtë rast Vetëvendosje ka fituar, me thënë të drejtën. AKR-ja ka koalicion me LDK-në, edhe ne nuk kemi vendosur për një gjë të tillë. Unë mendoj që kush i ka mbi 61 ose 62 deputet shqiptarë mund ta bëjë Qeverinë. Qeveria me deputetë serbë nuk bëhet, nuk është qeveri stabile edhe nuk i kontribuon qytetarëve të Kosovës. Unë mendoj që na shkojmë kush i arrin me neve 61 deputet, që e ka shumicën absolute shqiptare në parlament. Bashkë me LDK-në mendoj që ne duhet të shkojmë edhe në opozitë ose me shkuar me Vetëvendosjen dhe me krijuar qeverinë e re. Unë nuk jam dakord me shkuar me PAN, normal që vendos kryesia në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ai ka thënë se nuk është i kënaqur me rezultatin që ka arrit AKR-ja, duke shtuar se nuk kanë qenë të organizuar mirë në disa regjione.

“Unë mendoj që mirë ka shkuar koalicioni me LDK-në, i kemi diku 5-6 deputetë informatat që i kam në terren. Pesë i kemi të sigurt, por mund të jenë edhe gjashtë, kështu që rezultatet janë mirë”, tha Pacolli.

Ndryshe rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit, koalicion LDK-AKR-Alternativa ka dal e treta për nga renditja me 25.79 %, në vendin e dytë radhitet Lëvizja Vetëvendosje me 27.16 për qind, dhe koalicioni PDK-AAK-Nisma, ka dal e para me një rezultat prej 33.92 për qind.

Exit mobile version