Kryetari i Aleancës Kosova e Re njëherësh, deputet i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka akuzuar ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se e ka kërcënuar me arrestim.
Lideri i AKR-së, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se kjo është sfida më e madhe në Parlamentin e Kosovës që nga viti 1989.
“Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm më ka kërcënuar me arrestim nëse shkoj në Kuvend për të ushtruar detyrën time si deputet. Kjo është sfida më e madhe në Parlamentin e Kosovës që nga viti 1989. Qeveria i përgjigjet Kuvendit, e jo deputetët Qeverisë. Demokracia duhet të mbizotërojë”, ka shkruar Pacolli, përcjell Telegrafi.
Acting Minister of Interior has threatened me with arrest if I go to the Assembly to exercise my duty as MP. This is the biggest challenge ever to #Kosovo’s Parliament since 1989. The government is accountable to the Assembly, not MP’s to the Gov. Democracy must prevail
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) May 2, 2020
Kthimi i Behgjet Pacollit nga Zvicra gjatë kësaj jave është përcjell me debate e përplasje ndërmjet udhëheqësve institucionalë dhe me dilema nëse duhej t’i lejohej kthimi dhe se a duhej t’i nënshterohej karantinimit si masë preventive ndaj coronavirusit.
Fillimisht ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar presidentin Thaçi se të mërkurën kishte shkuar pa respektuar protokollin e shtetit në Shqipëri, duke ngritur edhe dyshimet se Presidenti do ta ketë futur Pacollin në Kosovë në mënyrë ilegale nga Shqipëria, ku lideri i AKR-së kishte ateruar me aeroplanin e tij.
Ndërsa, Pacolli me të mbërrirë në Aeroportin e Prishtinës, ka deklaruar se për herë të parë nuk kishte guxuar të ateronte në aeroportin e shtetit të tij, nga frika se do t’i organizohej një sulm terrorist, nga shteti. Kjo deklaratë e Pacollit ka nxitur reagime të shumta.
Ndërkohë, Sveçla ka thënë se deputeti Behgjet Pacolli do të ndalohej e ndoshta edhe do të arrestohej, në rast se do të kthehej ilegalisht në Kosovë nga Tirana.
Ai në një intervistë televizive nuk e ka përjashtuar ndonjë masë edhe tash, nëse Pacolli thyen vetizolimin në shtëpinë e tij, duke shtuar se Pacolli do të ndalohej nëse të shtunën do të t’ia mësynte Kuvendit, ku pritej të mbahej seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti. /Telegrafi/