Telegrafi

Pacolli sërish flet për njohjen nga një shtet i Afrikës: Osmani paska mbledhur krerët për koordinim dhe kjo është punë e mirë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli është deklaruar edhe një herë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga një shtet, i cili është thënë se vjen nga kontinenti i Afrikës.

Pacolli ka thënë një delegacion i lartë nga ai shtet ishte në Kosovë, dhe kanë ftuar krerët e shtetit për vizitë dhe për të nënshkruar marrëdhëniet diplomatike.

“Shumë njerëz më pyesin ( edhe në rrjete sociale) se çka ndodhi me njohjen për të cilin i pata shkruar Kryeministrit. Për hirë të transparencës ju informoj se delegacioni i lartë nga ai shtet ishte në Kosovë, i ftuan krerët e shtetit që të vizitojnë këtë shtet për të nënshkruar marrëdhëniet diplomatike dhe tani hapat konkret priten nga krerët e institucioneve tona”, thotë ai.

Kreu i AKR-së, tutje ka pohuar se “presidentja paska mbledhur krerët për koordinim dhe kjo është punë e mirë. Shpresoj që do t’i shohim rezultatet”.

Kujtojmë se shteti i fundit që ka njohur Pavarësinë e Kosovës është Izraeli, i cili më 1 shkurt të 2021 zyrtarizoi njohjen për Kosovën.

Në 5 vitet e fundit, shtetin më të ri evropian, që shpalli pavarësinë më 17 shkurt të 2008, e njohën veç katër shtete: Izraeli, Barbadosi, Madagaskari dhe Bangladeshi. /Telegrafi/