Site icon Telegrafi

Pacolli: Presidentja më kërkoi ndihmë për t’ia gjetur dy-tri vota

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka kërkuar ndihmë në gjetjen e votave, kur ajo po votohej për këtë post.

Pacolli ka treguar se si rrodhi e gjithë situata për sigurimin e votave për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

“Më tha se jemi duke u përgatitur për seancë, por ndoshta nuk do të ketë seancë, për arsye se neve na mungojnë ende votat”, tha Pacolli, për DTP Te Fidani në Klan Kosova.

“Unë isha duke u nisur për pushime me familje në Turqi, kur më ka shkruar më duket Abdixhiku dhe më tha ‘ju lutem ejani zotëri Pacolli, sepse po votohet presidentja’. Unë aty vendosi të kthehem. Por nuk ndodhi votimi për shkak të mungesës së votave. Po atë natë ajo më ka thirr, dhe më ka kërkuar ndihmë për dy ose tri vota”, tha Pacolli.

Pacolli ka thënë se nuk është pishman që ia ka dhënë votën Qeverisë Kurti, por thotë se vota u dha në kushte krejtësisht tjera.

Ai tha se ishte i bindur se kjo qeveri do të sillte ndryshimin në Kosovës.

“Votën e kam dhënë në kushte krejtësisht tjera, të urtë, faleminderit, gjentil. Votën ia kam dhënë me bindje, nga vullneti im, se kjo qeveri Kosovën do ta çojë shumë shpejt përpara dhe do t’i eliminonte ato probleme me të cilat ishte ballafaquar Kosova”.

Exit mobile version