Telegrafi

Pacolli: Policat për mërgimtarët 50% më lirë

Të gjithë bashkatdhetarët që hyjnë në Kosovë prej 1 korrikut 2015, do të pajisen me polica të sigurimit kufitar me tarifa 50 për qind më të ulëta.

Rrahim Pacolli kryesuesi i mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve përmes një njoftimi për media e ka bërë të ditur këtë vendim.

“Kam ftuar anëtarët e tjerë në mbledhje për të diskutuar në lidhje me zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar. Përveç drejtorit të BKS-së, zëvendës drejtorit dhe drejtorit të një kompanie të sigurimit, të gjithë të tjerët bojkotuan mbledhjen”, ka njoftuar Pacolli.

Megjithëkëtë ai ka thënë se iniciativa e marrë nga ai dhe kryeparlamentari Kadri Veseli për ulje të tarifave të sigurimit kufitar do të realizohet, dhe atë nga 1 korriku i këtij viti.

“Para disa ditësh, publikisht kam kërkuar nga Kryeministri,Parlamenti i Kosovës dhe Banka Qendrore që kompanisë e sigurimeve “SIGURIA” t’i lejohet shitja e policave të sigurimit kufitar, në pika kufitare, me 50 % ulje për vetura me pasagjerë, dhe me mbështetjen e tyre nuk do të ketë kthim prapa”, ka thënë Pacolli në njoftimin e tij për media.

Mërgimtarët deri tash kanë paguar 40 euro për polica të sigurimeve.