Telegrafi

Pacolli për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së: Nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e Beogradit

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shprehur keqardhje që gjykata e Maqedonisë Veriore, ka dhënë urdhër për paraburgimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Pacolli, ka shkruar se i bënë thirrje Shkupit të veprojë si të gjitha vendet në Evropë, të cilat sipas tij i kanë hedhur poshtë urdhrat politik për arrest të lëshuar nga Beogradi.

“Përkundër faktit që ne kemi vazhduar angazhimin me autoritetet e Shkupit për të siguruar lirimin e Timor Morinës, kjo ende nuk ka ndodhur.
Më vjen keq që gjykata e Maqedonisë Veriore ka dhënë një urdhër për para-burgim për z. Morina bazuar në një urdhër arresti politik të lëshuar nga Serbia.
Ne do të vazhdojmë të punojmë për lirimin e tij dhe t’i bëjmë thirrje Shkupit të veprojë si të gjitha vendet në Evropë që i kanë hedhur poshtë këto urdhra politik për arrest të lëshuar nga Beogradi.

Për një gjë jam i sigurt, që ne nuk do të lejojmë ekstradimin e asnjë qytetari tanë bazuar në fletarrestet e lëshuara nga Beogradi. Kjo është vijë e kuqe për Kosovën”, ka shkruar në Facebook, Pacolli./Telegrafi/