Site icon Telegrafi

Pacolli: Nga viti 2007, shpenzova 36 milionë euro për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj

Behgjet Pacolli thotë se Kosovës ia solli mbi 40 njohje ndërkombëtare.

Kandidati për President të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se gjithçka që ka bërë deri më sot e ka bërë vetëm për Kosovën dhe asgjë nuk do të ndryshonte nëse do të kthehej pas në kohë.

“Kosovës i solla shumë të mira. Shtetin e kam ndihmua në shumë mënyra. Më e pakta kam zgjidhur shumë probleme. Kosovës ia solla mbi 40 njohje. Kam hapur për Kosovën shumë dyer kudo ku kam qenë”, tha ai në “Debat Plus”.

Pacolli thotë se ka ndihmuar djathtas e majtas sa ka mundur në ndërtimin e objekteve të ndryshme shtetërore në Kosovë.

“Kam ngritur objektet e institucioneve duke filluar nga objekti i Gjykatës Kushtetuese deri te presidenca. Kam ndërtuar objekte të trashëgimisë, universitete”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i AKR-së thotë se ka ndihmuar skamnorët e ka shëruar njerëzit dhe ka ndarë bursa për studentët.

“Nga viti 2007 e deri më sot kam ndihmuar me rreth 36 milionë euro. Jam krenar për ato ndihma sepse e kam bërë për vendin tim. Vëllai im ka qenë në UÇK, e unë nuk kam mundur të vijë në atë kohë por kur ka ardhur koha ime kam ndihmuar Kosovën”, tha ndër të tjera Behgjet Pacolli./Telegrafi/

Exit mobile version