Telegrafi

Pacolli në Vushtrri: Koalicioni AKR-NISMA-PD zgjedhja e vetme për ndryshime pozitive në vend

Aleanca Kosova e Re, sot ka mbajtur takimin me anëtarë të partisë në  Vushtrri, në  të cilin presidenti i subjektit politik, Behgjet Pacolli, ka bërë thirrje që kësaj radhe qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur për qeverisjen e vendit.
“Qytetarët e Kosovës duhet të dijnë se ata e kanë në dorë fatin e tyre dhe të vendit. Aleanca Kosova e Re ka program i cili premton zhvillim dhe integrim, andaj ftojmë qytetarët që të zgjedhin AKR-në për qeverisje sepse vetëm ne mund të bëjnë ndryshimet të cilat i nevojiten vendit tonë”, tha presidenti Pacolli.
Ai gjithashtu tha se gjatë kohës sa AKR ka qenë pjesë e insitucioneve është dëshmuar udhëheqje e pastër dhe transparente.
Kryetari i degës së AKR-së në Vushtrri, Nasuf Aliu tha se Presidenti Pacolli ka transformuar Kosovën për të mirë dhe në të kaluarën i ka dhënë vendit program konkret për zhvillim.
Në fund, presidenti Pacolli pati edhe një mesazh për ata të cilët janë larguar nga subjekti i AKR-së duke thënë se ata kanë ikur për arsye se nuk kanë mundur të bashkëjetojnë me sinqeritetin tonë.
Gjithashtu gjatë këtij takimi presidenti Pacolli ka prezentuar kandidatët për deputet nga AKR.