Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli me ftesë të homologut të tij nga Rumania, Teodor Meleșcanu po qëndron në Bukuresht, për të marrë pjesë në takimin jo-formal, të organizuar nga Rumania, si kryesuese e Presidencës së radhës e Këshillit të BE-së, për vendet anëtare të BE-së, Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.
Takimi i tillë, respektivisht dreka jo-formale, që do të mbahet sot me të gjithë pjesëmarrësit e lartpërmendur, shihet si një mundësi për shkëmbim jo-formal të pikëpamjeve mbi të ardhmen e rajonit, ndërsa qëllimi i diskutimeve është, që të forcohet dialogu dhe bashkëpunimi rajonal në pikëpamje të sfidave globale.
Në margjina të drekës jo-formale, kryediplomati kosovar, Pacolli, do t’i adresohet të gjithë të pranishmëve me një fjalim, ndërsa më pas pritet të zhvillojë takime dypalëshe me homologun çek, Tomáš Petříček, atë slloven, Miro Cerar, sllovak, Miroslav Lajčák, rumun, Teodor Meleșcanu dhe polak, Jacek Czaputowicz. /Telegrafi/