Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka hedhur akuza të rënda ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thotë se për shkak të saj vendi tani duhet të shkojë në zgjedhje.
Pacolli thekson se e gjitha ndodhi për shkak se LDK ndryshoi qëndrimet e saj, duke dalur komplet nga ajo që u kishte premtuar qytetarëve bashkë me LVV-në.k
“Secila forcë politike që hyn në parlament me vota të popullit në bazë të premtimeve politike që jep në kampanjë dhe pas pak ditëve shkel mbi premtimet e veta, dhe tjetërson komplet qëndrimin e saj, këto forca politike e humbin legjitimitetin dhe kështu është në demokraci. Ti votohesh për të përfaqësuar popullin, votohesh në bazë të programit politik dhe premtimeve politike që jep në fushatë”, ka pohuar Pacolli.
Ajo shtoi më tej se premtimet politike që ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje por edhe Lidhja Demokratike janë ato për të cilat ka votuar populli.
“Sa i përket partive të tjera të cilat LDK i ka afër, janë parti mjaft të vogla me një rezultat tejet që nuk bënë ndonjë dallim. E kemi Nismën e cila mezi arriti ta arrijë pragun dhe e kemi AAK-në e cila është në rënie e sipër. Përveç LDK-së është PDK-ja prapa saj e cila luan lojën e dyfishtë dhe ka komplet interesat e përbashkëta me LDK-në”, tha ajo në Klan Kosova.