Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha të hënën se Qeveria e Kosovës bashkë me Kuvendin e Kosovës, për të dytin mandat radhazi, po synojnë të dështojnë në transformimin më përmbajtjesor të pronës shoqërore në atë publike, ligjin e Trepçës.
Ai tha se nëse transformimi i Trepçës e cila simbolizon fuqinë industriale dhe ekonominë të Kosovës, dështon me miratimin e Qeverisë së Kosovës, atëherë kjo Qeveri nuk ka aftësi të mbrojë as më të voglin interes të qytetarëve të saj.
“Për këtë dështim do të mbahen përgjegjës të gjithë në Kosovë. Opozita e mandatit të kaluar (tash ne Kryeministri dhe partner në Qeveri) bashkë me partnerët tjerë opozitarë të asaj kohe dhe disa deputetë të pozitës, refuzuan kategorikisht asokohe, këtë plan me pretendimet se dikush mund të ketë interes personal nga ky transformim”, shprehet Pacolli në Facebook.
“Jemi sot para rezultatit ku pozitës i mungon guximi, morali, vullneti dhe vizioni ekonomik për të zhvilluar shpejt Kosovën. Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm se zmbrapsja nga pozita e sigurt për të shënuar sukses. Kjo tregon se Qeverisë së Kosovës i mungon morali për të kontribuar për qytetarin e saj dhe definitivisht dituria se si duhet të fillohet me zhvillimin”, u shpreh lideri i AKR-së.
Ai ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përkundrejt presioneve që mund t’i kenë, mos të heqin dorë nga kalimi i projektligjit.
“Në përfundim, argumenti i partnerit tonë në Qeveri ishte se si AKR donë të bëjë ndryshimin me 7% të forcës politike. Athua dështimi garantohet me shumicën prej 70 për qind në Kuvend? Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe Kushtetuta e Kosovës ju obligon ju deputet pa marrë parasysh vullnetin e ekzekutivit të kaloni këtë projektligj dhe të mbroni pasurinë e Kosovës për një perspektivë të ndritur për të gjithë banorët e saj”, shprehet Pacolli në Facebook. /Telegrafi/