Lideri i AKR-së dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Ibrahim Rugova është shndërruar në njëlloj marke identifikuese me shumë vlerë e shtetit, popullit, e kombit tonë, një simbol i pandashëm nga Kosova.
Pacolli, në 12-vjetroin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, ka shkruar në Facebook se “Rugova na la pas në botën e madhe markën e vet me të cilën identifikohemi si kosovarë”.
Postimi i plotë i Pacollit:
“Ka patur Ibrahim Rugovë, ka Rugovizëm!
Në këtë pikë, Rugova është i papërsëritshëm. Nuk ka dhe nuk do të ketë besoj në historinë e afërt të Kosovës, udhëheqës politik i cili të ketë lenë pas një ideologji, një rrymë mendimi dhe veprimi, që mban emrin e vet. Nuk ka një të dytë. Nëse ju dini dikënd tjetër, ma thoni.
Kosova e Ibrahim Rugovës dhe Ibrahim Rugova i Kosovës. Sot që kam mbi supe detyrën e nderuar të ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës, kam mundësinë të kuptoj se ky njeri është shndërruar në njëlloj marke identifikuese me shumë vlerë e shtetit tonë, e popullit tonë, e kombit tonë, një simbol i pandashëm nga Kosova. Edhe në këtë pikë, Presidenti ynë është i posaçëm, i papërsëritshëm.
Sot në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të idesë dhe praktikës së shtetit të pavarur të Kosovës e ndieva të udhës me thënë këto dy pohime. Janë pohime për diçka që e ndiej, e prek dhe për të cilën jam i vetëdijshëm gjithmonë e më shumë. Rugova na la pas ideologjinë e vet. Rugova na la pas në botën e madhe markën e vet me të cilën identifikohemi si Kosovarë.
Kjo është pavdekësia e tij” (sic.), ka skruar Pacolli. /Telegrafi/